04/24/2018

Apel nga Zvicra: Shqiptarët në Maqedoni të ndërtojnë një platformë të përbashkët politike

protesta131-640x640

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Sidomos aktualiteti i ditëve dhe javëve të fundit është tejet brengosës për ne, thuhet në një komunikatë për shtyp që e ka dërguar KSHZ.

“Vendimi i presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov, për faljen e një grupi politikanësh e nëpunësish shtetëror, të cilët kanë përgjegjësi direkte për aferat e mëdha korruptive e kriminale është shkelje e sistemit juridik dhe duket se po çon shtetin drejt greminës. Ky hap tejet i ngutur i presidentit është përpjekje e fundit e strukturave të inkriminuara të pushtetit për t’i ikur përgjegjësisë penale për veprat e kryera. Ata që janë të përfshirë në rastet kriminale të bëra publike me aferën e përgjimeve, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.  Në të njejtën kohë ky hap minon marrëveshjen e Përzhinos si shtegdajle nga kriza e thellë politike që e ka kapluar vendin tash e disa muaj”, konsideron KSHZ më tutje

“Përkrahim fuqishëm punën e Prokurorisë Speciale, të cilën presidenti e pengon me vendimin e tij kontravers.  Në të njejtën kohë presim nga kjo prokurori përpunimin e zbardhjen e të gjitha rasteve kriminale, përfshirë edhe rastet, për të cilat sipas të gjitha gjasava shqiptarë të pafajshëm vuajnë burgim të përjetshëm, si rasti i vrasjes së të rinjvë maqedonas afër liqenit të Smilkovës, si dhe konfliktit të armatosur në Kumanovë, i cili duket të jetë i inskenuar nga shërbimi sekret maqedonas.

Shqiptarët në Maqedoni duhet të ndërtojnë një politikë unike kombëtare, e cila do t’i udhëhiqte ata në të gjitha proceset e politikbërjes në raport me faktorët institucional e shtetëror maqedonas.

Gara politike në mes të shqiptarëve të Maqedonisë ndër vite është kuptuar gabimisht nga disa përfaqësues të jetës politike atje. Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se kjo garë më tepër ka dëmtuar interesin shqiptar dhe ka favorizuar klane të caktuara politike-ekonomike që të përfitojnë nga kolacionimi me partnerët maqedonas.

Shqiptarët që ndodhen në diasporë janë të shqetësuar dhe shprehin mospajtim të thellë me mënyrën e përfaqësimit të interesave shqiptare nga ana e partive dhe elitave politike shqiptare atje.

Maqedonia nuk arriti të ruaj stabilitetin e vet politik, ekonomik e social dhe për pasojë kjo ka nxitur një migrim të pandërprerë të popullatës shqiptare nga vendlindja e tyre. Përgjegjësia për këtë bie edhe mbi elitën politike shqiptare. Kjo e fundit dështoi në krijimin e një strategjie afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e kulturor të viseve të banuara me shqiptarë.

Duke i patur parasysh të gjithë indikatorët që flasin për diskriminim e gjithanshëm të shqiptarëve në Maqedoni si dhe për një stagnim të proceseve të përgjithshme në këte shtet, KSHZ kërkon që “Shqiptarët në Maqedoni të krijojnë një program të përbashkët politik, me të cilin do të përfaqësoheshin interesat politike, ekonomike, kulturore të shqiptarëve në institucionet shtetërore; Pëfaqësuesit shqiptarë tash e tutje të këmbëngulin në një ridefinim adminstrativo – territorial të Maqedonisë, në përputhje me nevojat ekonomike, infrastrukturore, adminstrative të shqiptarëve në IRJM; Potenciali kadrovik i shqiptarëve dhe garimi i vlerave me maqedonasit, patjetër të plotësohet edhe me kuadro të diplomauara në shtetet e ndryshme të Europës – kuadro që aktualisht ndodhen në  diasporë; Tregu politik i shqiptarëve të Maqedonisë të reduktohet në përmasat e konkurrencës reale e assesi të thërmohet fuqia elektorale e shqiptarëve; Bashkëpunimi ndërshqiptar duhet të jetë prioritet i politikave nacionale të shqiptarëve të Maqedonisë, duke nxitur ato trajta të bashkëveprimit që do të krijonin parakushtet për një hapësirë të përbashkët kulturore e ekonomike të shqiptarëve në Ballkan”, përfundon komunikata e KSHZ, nënshkruar nga kryetari, Jeton Kryeziu. /albinfo/

happy wheels game