12/18/2017

Ngecin punimet për ndërtimin e fabrikës gjermane ne Strugë(VIDEO)

233571

Thuajse gjysmë viti pas hedhjes së themeleve për ndërtimin e fabrikës të kompanisë gjermane “ODV Elektrik” në zonën teknologjike industriale mes Strugës dhe Ohrit, në të cilën morën pjesë krerët më të lartë politik të vendit, në terren thuajse nuk ka asgjë. Ndërtimi i fabrikës, sipas paralajmërimeve të pushtetit, duhet të përfundojë në qershor dhe në të duhet të punësohen një mijë njerëz nga ky rajon. Alsat M lidhur me këtë investim përgjigje kërkoi edhe nga ambasadorja gjermane në Shkup, Kristine Alt’hauzer. Ajo tha se për momentin nuk ka informata të reja.

“Edhe ne nuk kemi informata të reja. Sipas informatave tona, fabrika duhet të hapet në qershor, por nuk kemi çfarë të shtojmë diçka të re”, deklaroi Kristine Alt’hauzer, ambasadore e Gjermanisë.
Kryetari i Ohrit, Nikolla Bakraçeski, pohon se gjithçka po ecë sipas dinamikës për të cilën janë marrë vesh Qeveria dhe Komuna.
“Në zonën e lirë Ohër-Strugë, në këtë moment për shkak të kushteve të këqija të motit, punët janë ndërprerë përkohësisht. Menjëherë pas përmirësimit të kushteve do të vazhdojnë punimet dhe ashtu siç është paralajmëruar edhe nga “ODV Elektrik” do vazhdojnë me ndërtimin e fabrikës së re ku do duhet të angazhohen teknologji të reja dhe të krijohen vende të reja të punës”, tha Nikolla Bakraçeski, kryetar i Ohrit.
Kryetari i komunës së Strugës Ziadin Sela, nga ana tjetër ngriti shqetësimin për anashkalimin e mundshëm të banorëve të Strugës gjatë punësimeve në këtë fabrikë, pasi siç tha ai nuk ishte ftuar as në eventin kur u paralajmërua ky investim.
“Ne do të kemi një zonë të lirë ekonomike në Strugë dhe fatkeqësisht frika ime është që të gjitha punësimet do t’i bien nga Ohri pasi i tillë është pozicioni i BDI-së në Qeveri, por tani që ka zgjedhje unë shpresojë të ndryshojë situata dhe atëherë do të marrë formë dhe karakter të mirëfilltë zona e lirë ekonomike e Strugës”, Ziadin Sela, kryetar i Strugës.
Edhe pse fabrika duhet të fillojë të funksionojë në qershor, kjo zonë me muaj të tërë qëndron e rrethuar me rrethojë. Në hyrje të saj ka portë të madhe hekuri e cila sot ishte e mbyllur.
Miki Trajkovski

happy wheels game