07/17/2018

Rama-Bashës: Votojmë çdo variant, rreziku euroamerikan, absurd

Edi-Rama-levizja-FOL-foto-ridvan-slivova-09-780x439

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si absurd refuzimin e fundit të PD ndaj variantit të ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe propozimin e bërë prej saj e ka cilësuar si alibinë e radhës.

“PD e refuzoi formulën e propozimit të propozuar nga SHBA dhe BE. Pasi u rrokanisi kokën shqiptarëve me nenin 88 dhe mori atë që kërkoi, nxori kleçkën e radhës duke ngritur pikëpyetjen e pabesueshme mbi besueshmërinë, integritetin dhe rolin e partnerëve në procesin e skanimit të prokurorëve dhe gjykatësve”, ka thënë Rama.

Rama është shprehur se, ai personalisht nuk u befasua nga kjo, “por u befasuan dhe u zhgënjyen aleatët që janë investuar masivisht për këtë reformë”.

Kërkesa e re e PD dhe klithma e djeshme e dëshpërimit për mbrojtjen e sovranitetit nga rreziku euro-amerikan janë, sipas Ramës, “dëshmia ulëritëse” e së vërtetës se opozitarët nuk e duan reformën në drejtësi.

“Pretendimi i tyre, me nenin 55 në dimër dhe atë 88 në pranverë ishte vetëm një alibi. E montuan idenë se ne nuk do të hapim rrugën e një kompromisi që nuk e cenon thelbin e reformës. Ndaj propozimit të vendosur në tavolinë nga ndihmës sekretarja e Shtetit, PD krijoi një alibi edhe më absurde se më parë: rreziku euro-amerikan. Tani po bën një përpjekje të dëshpëruar për të bindur shqiptarët se vetingun e prokurorëve dhe gjykatësve Shqipëria sovrane mund ta bëjë më mirë me Ndrecën dhe Jonuzin, sesa misioni ndërkombëtar”, ka thënë Rama.

Sipas tij, rreziku nga përfshirja e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut është një tjetër. “Përfshirja e ndërkombëtarëve në veting është rrezik për sistemin e korruptuar ekonomikisht e politikisht që ka mbrojtur vrasësit. Vetingu nga ndërkombëtarët u heq çekiçin nga dora kriminelëve”, ka thënë Rama.

Shefi i qeverisë ka përsëritur se, “jemi gati të votojmë çdo gjë që do të fusë PD në variantin e reformës, me kusht që të jetë e pranueshme nga SHBA dhe BE”.

“Ne duam që reforma të miratohet bashkë me opozitën dhe për këtë kemi shteruar gjithë fantazinë tonë dhe kemi bërë gjithë lëshimet e mundshme”, ka thënë Rama, i cili ka përsëritur edhe ftesën drejtuar kreut të PD.

“E ftoj Lulzim Bashën nga sot deri në orën 10 të datës 21 korrik, kur fillon seanca, që të më telefonojë kurdo për të më takuar nëse ka ndonjë të re që konsiderohet e pranueshme nga SHBA dhe BE. Unë do ta pranoj dhe ne do ta votojmë pa kërkuar ndryshimin e asnjë presjeje. Ky është konsensus me firmë, të zezë mbi të bardhë”, ka shtuar Rama.

happy wheels game